Ze Maria zbulon mënyrën si do të rikthehen me ekipet elitare
Pëlqej
Kategoria Superiore ngriti “siparin” vetëm dje. Mungesa e madhe ishte pikërisht Tirana, e cila për të parën herë në 97 vite histori e ndoqi vetëm si spektatore startin. Një pozicion që nuk i shkon aspak për shtat mbretëreshës së trofeve, fituese të 51 trofeve në futbollin shqiptar.

Por, drama nuk mund të zhbëhet. Bardhebluve nuk u mbetet tjetër gjë veçse të shfaqin supremacinë në Kategorinë e Parë dhe të sigurojnë rikthimin sa më të shpejtë në elitë. Ngjitja është vetëm 26 ndeshje larg dhe për ta konkretizuar me sukses misionin duhen… 26 fitore.

Ze Maria e ka të qartë se ka marrë drejtimin e klubit më të lavdishëm në Shqipëri, ndaj ka nisur menjëherë “terapinë” për të mobilizuar grupin. Organika nuk i mungon, ndërsa jo vetëm ka çdo repart të dubluar, por gati tre formacione për të hedhur në fushë. Një “luks” jo vetëm për ekipet e inferiores, por edhe ato të Superiores.

Pas fitimit të Superkupës së Shqipërisë, entuziazmi është shtuar ndjeshëm dhe këtë fakt trajneri kërkon që ta shfrytëzojë edhe në kampionat.

Braziliani po ua bën edhe më të lehtë lojtarëve në stërvitje, ku përtej ngarkesave, mundohet që t’u injektojë mentalitetin e fituesve. Plani i ngjitjes ka nisur tashmë dhe një gjë të tillë bardheblutë e kanë vetë të qartë. Madje, futbollistët i kanë vendosur edhe objektiva vetes, raporton Panorama.

Deri në janar nuk duhet që t’i evitojnë dhe jo vetëm, pasi fitoret duhet të jenë me të paktën 3 gola. “Pesha” e golave u mbetet emrave si Ngoo, Edeh, Sentamu, sulmuesve që këtë sezon janë pjesë e kontingjentit. Ze Maria pret maksimumin e mundshëm të pikëve pas mbylljes së dy fazave të para, që në momentin kur të bëhet përgjysmimi i pikëve, të kenë sërish distancë me rivalët më të afërt.

Kujtojmë që pas 18 ndeshjeve të para, pikët jo vetëm përgjysmohen, por ekipet rindahen në dy pesëshe, ku secili ekip do të luajë edhe 8 ndeshje të tjera. Sigurisht që vend për qetësi nuk do të ketë as në 2018-ën dhe shembulli konkret vjen nga Kamza.

Këtyre të fundit, një sezon më parë, edhe pse bënë një ecuri mbresëlënëse, pas përgjysmimit të pikëve, iu afrua Besëlidhja, aq sa ngjitjen në elitë e diskutuan vetëm në ndeshjen e fundit. Për të shmangur një gjë të tillë, kërkohet perfeksioni.

Shtuar më 10/09/2017, ora 15:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori