Anderson magjik, Lazio merr vendin e tretë (VIDEO)
Në "Olimpico" fluturon Lazio. Ndeshja e parë e vitit 2015 në Serie A mes skuadrës kryeqytetase dhe Sampdorias foli tërësisht për vendasit që përveç fitores së pastër 3-0 shkëputen edhe në garën për vendin e tretë, duke fituar një bonus moral në prag të derbit kundër Romës. Ndeshja nisi me ritmin e diktuar nga vendasit të inspiruar nga braziliani Felipe Anderson. Rastin e parë të pastër e shpërdoroi serbi Filip Djordjevic që nuk arriti të përfitonte nga një gabim i mbrojtjes kundërshtare, por bardhkaltërit e gjetën golin në minutën e 38 me autor Marco Parolon. Ish mesfushori i Parmës ledhatoi rrjetën me një ta majtë pas asistit të dhuruar nga Felipe Anderson.


Lazio përfitoi nga shoku i Sampdorias duke e thelluar avantazhin 2-0 pas një goditje perfekte nga jashtë zone e Felipe Anderson, i cili realizoi edhe golin e katërt personal në këtë sezon duke u konfirmuar njeriu i momentit për skuadrën e Piolit. Gjatë sekondave të fundit të pjesës së parë, Lorik Cana rrezikoi shumë me një ndërhyrje në dëm të Eder.


Ndërhyrja e kapitenit të kombëtares shqiptare u ndëshkua me të verdhë nga arbitri kryesor, duke e mbyllur ndeshjen e tij në atë moment për shkak të një dëmtimi. Lazio nuk e hoqi këmbën nga gazi as në fraksionin e dytë. Djordjevic nuk arriti të përfitonte nga një tjetër gabim i mbrojtjes së Sampdorias në minutën e 51-të pasi Viviano nuk u kuptua me mbrojtësin Romagnoli. 15 minuta më pas, serbi korrigjoi shënjestrën duke shtyrë në rrjetë një tjetër asist të Felipe Anderson.

Skuadra romane ngjitet e vetme në vendin e tretë të klasifikimit me 30 pikë, 3 më shumë se Sampdoria dhe Napoli. /albeu.com/
Shtuar më 06/01/2015, ora 09:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori