Atletico fiton Superkupën e Spanjës (VIDEO)
Atletico Madrid e ka filluar me befasi sezonin e ri duke mposhtur kampionin e Evropës, Real Madridin, në garën për trofeun e parë vendor, Superkupën e Spanjës.

Një gol i hershëm i shënuar nga Mario Mandzukic ishte i mjaftueshëm për t’i dhënë Atletico Madridit fitoren 1-0 në ndeshjen e kthimit në Vicente Calderon, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë në Santiago Bernnabeu (2-1 rezultati i përgjithshëm nga të dyja ndeshjet).

Sulmuesi kroat shënoi golin më të shpejtë në histori të Superkupës së Spanjës, për t’i dhënë avantazhin Atleticos pas më pak se dy minuta lojë (sekonda e 80-të).

Ndeshja ishte e nxehtë në të dyja pjesët me raste nga të dyja skuadrat, por e dominuar lehtas nga vendasit. Shumë më të nxehtë ndeshjen e bëri përjashtimi i trajnerit të Atleticos, Diego Simeone, i cili pas 26 minutash lojë u dërgua në tribuna nga gjyqtari për shkak të një reagimi.

Carlo Ancelotti vendosi të mos startojë me Ronaldon, duke pozicionuar Luka Modric, Toni Kroos, James Rodriguez dhe Gareth Bale prapa sulmuesit kryesor Karim Benzema.

Edhe pas inkuadrimit të portugezit në pjesën e dytë, nuk ndryshoi shumë për Real Madridin, që nuk arrinin të çajnë mbrojtjen e hekur të Atleticos. Edhe inkuadrimi i Isco dhe Marcelos nuk e ndryshoi rezultatin.

Ndryshe, Atletico u tregua kërcënues në më shumë raste, me Antoine Griezmann dhe Mandzukic që krijuan raste në kundërsulme.

Kujtojmë se ndeshja ishte e ashpër, si shumica e derbive në mes të dy rivalëve të qytetit. Ajo prodhoi nëntë kartonë të verdhë dhe një kartonë të kuq. Përveç trajnerit të Atleticos, kartoni i kuq iu tregua edhe mesfushorit Luka Modric.

Real Madridi duhet të kënaqet me Superkuëpn e Evropës, kur mposhti një tjetër rival spanjoll, Sevillan, dhe të mundohen të harrojnë këtë zhgënjim ndaj rivalit lokal.
Shtuar më 23/08/2014, ora 02:29
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori