Barcelona me "5 yje" fundos Valencian (VIDEO)






Barcelona arriti të sigurojë fitore me rezultat 5:2 kundër Valencias, që e kishte mposhtur në finalen e edicionit të kaluar të Kupës së Mbretit – falë golave të shënuara nga 16-vjeçari Ansummane Fati dhe Luis Suarezi, që luajti për herë të parë pas lëndimit.

Barcelona i fitoi tri pikë të vlefshme për xhiron katërt të sezonit të ri të La Ligës, në ndeshjen e sotshme kundër Valencias, që u zhvillua para rreth 95 mijë tifozëve të pranishëm në "Camp Nou".

Në mesin e tifozëve të pranishëm në tribunat e stadiumit të Barcelonës ishte edhe Lionel Messi, i cili mungoi edhe në këtë ndeshje në skuadrën e Ernesto Valverdes, shkaku i një lëndimi që e ka lënë jashtë fushës së blertë që nga parasezoni.

Megjithatë, në mungesën e argjentinasit, tifozët e Barcelonës e kanë zbuluar talentin e 16-vjeçarit Ansummane Fati, i cili debutoi në formacionin e parë të katalonasve sonte. Pas vetëm shtatë minutave lojë sonte, ai i regjistroi një gol dhe një asist, të dyja në bashkëpunim me mesfushorin Frenkie de Jong.

Para se të mbyllej pjesa e parë e ndeshjes, Valencia u kthye një gol përmes golit të shënuar nga Kevin Gameiro në minutën e 27-të të ndeshjes, që fillimisht edhe u shqyrtua nga VAR-i.

Megjithatë, Barcelona dëshmoi se nuk do ta lejojë Valencian të marrë ndonjë pikë nga kjo ndeshje, duke e thelluar epërsinë në 3:1, përmes golit të shënuar nga Gerard Pique.

Tifozët e Barcelonës patën edhe arsye të tjera për të festuar në këtë ndeshje, pasi që Luis Suarezi u kthye nga lëndimi i tij, që e kishte pësuar në ndeshjen kundër Athletic Bilbaos. Ai u kthye fuqishëm, duke i shënuar dy gola brenda 30 minutave që ishte në fushë. Këto dy gola të tij e bëjnë Valencian klubin kundër të cilit uruguaiani ka shënuar më së shumti gola.

Përkundër që nuk pati shumë vlerë për synimet e klubit, Valencia e shënoi edhe një gol tjetër pak momente para fundit të ndeshjes, përmes Maximiliano Gomezit.

Me këtë fitore, Barcelona e mban pozitën e katërt në tabelën e La Ligës, me shtatë pikë të fituara nga katër ndeshjet e zhvilluara. Atletico Madridi kryeson me nëntë pikë, ndërsa Real Madridi e Athletic Bilbao i kanë nga tetë pikë.

Të martën, djemtë e Valverdes do të përballen me Borussia Dortmundin, në ndeshjen hapëse për edicionin e ri të Ligës së Kampionëve, trofeu i së cilës mbetet njëri ndër synimet kryesore të klubit katalonas për këtë sezon.
Shtuar më 14/09/2019, ora 23:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori