Bayern vuan, por fiton në Greqi falë Lewandowskit (VIDEO)
Bayern Munich ka marrë një fitore tepër të vështirë në Greqi ndaj Olympiacos teksa ka fituar me rezultatin e ngushtë 3-2.

Përpara një stadiumi të zjarrtë me mbi 33,000 spektatorë të pranishëm, El Arabi ka kaluar vendasit në avantazh. Megjithatë, Lewandowski, një nga lojtarët më në formë për momentin në Europë, ka barazuar rezultatin përpara pushimit.

Në pjesën e dytë Lewa ka kaluar të tijtë në avantazh përpara se Tolisso të shënonte golin e tretë. Guilherme ka rifutur në lojë vendasit dhe deri në fund ndeshja ishte e tensionuar, por bavarezët kanë ruajtur fitoren. Me këto tri pikë gjermanët mbeten në vend të parë me pikë të plota, por ka humbur yllin 80-milionësh Lucas Hernandez i cili ka dalë i dëmtuar në gjysmën e pjesës së dytë.

Tottenham më në fund ka bindur ndaj Crvena Zvezda. Spurs kanë fituar thellë 5-0 duke larguar për të paktën disa ditë krizën që ka pushtuar White Hart Lane kohët e fundit.

Skuadra e Pochettinos ishte betuar se do të bënte çmos për të marrë tri pikët në ndeshjen e tretë të grupeve dhe ia ka dalë me goleadë. Ishte Harry Kane ai që zhbllokoi rezultatin përpara se Son të dyfishonte dhe të trefishonte me dopietën e tij përpara pushimit. Pas pushimit Lamela dhe Kane kanë shpartalluar miqtë nga Serbia. Me këtë rezultat, Spurs ngjiten në vend të dytë.
Shtuar më 22/10/2019, ora 23:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori