Barcelona e kthen në stërvitje transfertën e saj në Vigo duke fituar lehtësisht me
rezultatin 0-3 ndaj Celtës.
Katalanasit dhe pse me disa ndryshime në formacion nuk i ngrejnë frenat e dorës në "Balaidos" duke shtypur vendasit, që duket se forcën e tyre e kishin konsumuar të gjithë në Malaga në fundjavë, kur fituan 5-0 ndaj andaluzianëve. Nuk duhet shumë për të kuptuar që ndeshja do të ketë vetëm një drejtim, pasi që në minutën e nëntë,
blaugranat gjejnë avantazhin me anë të Alexis Sanchez që konfirmohet si njeriu gol te Barça këtë periudhë.
Messi gjithashtu arrin të shënojë pak minuta më pas, por pozicioni i tij konsiderohet si i parregullt.
Në pjesën e parë
blaugranat mjaftohen me
rezultatin e ngushtë, ndërsa në startin e së dytës vënë sërish këmbën në gaz duke gjetur dhe dy herë të tjera fundin e rrjetës me Cesc Fabregas, që realizon një dygolësh në portën e Yoel, ku i pari i mesfushorit spanjoll ishte dhe një bashkëpunim mes shtyllës dhe kurrizit të gardianit vendas.
0-3 është rezultat me të cilin
katalanasit mund të qëndrojnë të qetë, por jo
Messi që bën gjithçka për të gjetur fundin e rrjetës madje duke u treguar egoist dhe në disa raste, aq sa në fund pavarsisht përpjekjeve nuk e gjen dot golin personal me sfidën që mbyllet në favor të ekipit të Martinos, që blindon kreun e renditjes së La Ligas dhe për këtë javë.
Ndërkohë në ndeshjen tjetër të ditës, Espanyol nuk shfrytëzoi rastet që krijoi përballë Malagas në "Cornelia El Prat" duke barazuar 0-0 me andaluzianët. /albeu.com/
Shtuar më 30/10/2013,
ora 10:13