Dalin provat, si e trukoi ndeshjen skuadra e "fenomenit" (VIDEO)
Bisedat e incizuara mes personave të përfshirë në rastin e kurdisjeve të ndeshjeve në futbollin spanjoll dëshmojnë se kishte korrupsion edhe në ndeshjen mes Real Valladolidit dhe Valencias në ditën finale të sezonit të La Ligës.

Raul Bravo, Carlos Aranda dhe Borja Fernandez janë lëshuar me kusht nga burgu, pasi u paraqitën para një trupi gjykues. Ata po akuzohen për korrupsion në sport dhe për krime të tjera, transmeton Gazeta Express.

E përditshmja spanjolle, El Mundo, i ka publikuar ekskluzivisht disa incizime, të cilët ishin siguruar fillimisht nga policia.

“Shtatë lojtarë janë bindur me ryshfet, asnjë më shumë”, dëgjohet duke thënë Aranda në telefon.

“Vëri bast 10 mijë euro dhe do t’i fitosh 20 mijë”, thotë Aranda në po të njëjtën bisedë.

Këto fraza, bashkë me disa gjëra të tjerë, e dëshmojnë se ndeshja mes Real Valladolidit dhe Valencias ishte e kurdisur. Kjo ndeshje kishte qenë vendimtare për fatin e klubeve që kualifikohen në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve.

El Mundo gjithashtu raporton se Raul Bravo kishte shkuar për ta takuar Borja Fernandezin në Real Valladolid, ndërsa nuk ka asnjë dëshmi për ndonjë takim mes lojtarëve në shtëpinë e anësorit të Valladolidit, Keko Gontanit.

Aranda i kishte treguar edhe një shoku për këtë ndeshje.

"Shiko këtu shok, Valencia do të fitojë edhe në pjesën e parë, edhe në të dytën, në rregull?", dëgjohet ai duke thënë në bisedën telefonike.

"Më dëgjo, Valencia do t’i fitojë dy pjesët, në rregull?”

"Kështu, ata do ta fitojnë ndeshjen, por do të jenë duke fituar edhe në pjesën e parë, ata duhet t’i shënojnë dy gola në dy pjesët në mënyrë që të fitojnë në të dyja".

"Shiko, ti e di për çfarë po bëhet fjalë, askush s’mund ta marr vesh, por ti e di. Askush. Askush do të thotë askush; askush, as shokët e ty edhe askush tjetër".

Ndeshja e fituar 2-0 nga Valencia ka përfunduar nën hetim pas sinjalizimit të La Ligas, për shkak të shifrave të jashtëzakonshme të parave luajtur në tregjet e basteve në Evropë e Azi.

Sipas hetimit, marrëveshja nuk ka qenë mes klubeve, por mes lojtarëve të veçantë, që kishin rënë dakord që të përfitonin shifra të mëdha për fitoren e Valencias.
Shtuar më 04/06/2019, ora 09:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori