Emiljano Vila, "Pashai" i Janinës (VIDEO)
Emiljano Vila është njeriu lider i grekëve të PAS Janinës. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka realizuar një tjetër gol me peshë dje për skuadrën e tij, që fitoi në transfertë kundër PAOK-ut me rezultatin 2-1. Ky ishte goli i pestë sezonal për Vilën dhe i treti radhazi. Futbollisti durrsak po kalon një formë të shkëlqyer, duke u bërë kështu lojtari kyç i skuadrës.

Në ndeshjen e djeshme, ai prishi ekuilibrat duke e dërguar topin në rrjetë që në minutën e 7-të, duke kaluar PAS Janinën në avantazh. Skuadra e tij shënoi më pas edhe një tjetër gol në minutën e 68-të duke vulosur fitoren. Goli i PAOK-ut në minutën e 70- të vlejti vetëm për statistikë. Fitorja e djeshme ka bërë shumë bujë në Greqi, duke e konsideruar atë si fitoren e vitit për PAS Janinën, që hodhi një hap të sigurt drejt mbijetesës.

Ndërkaq, Vila është cilësuar si lojtari më i mirë i ndeshjes. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Andi Lila, nuk është aktivizuar asnjë minutë dje te PAS Janina.

Në një intervistë për “Panorama Sport” futbollisti tregon sekretin e shpërthimit të tij:


Emiljano, tre gola radhazi në kampionat. A e prisnit këtë shpërthim?

Sigurisht që po. Pra, prisja që të isha në formë dhe të fitoja vendin e titullarit, por jo që të bëja kaq shumë gola dhe për më tepër kaq vendimtar. Jam i lumtur.


Cili është sekreti i golave?

Që po luaj si sulmues i mirëfilltë. Ky nuk është roli im natyral, por gjithsesi po ia dal shkëlqyeshëm. Por e rëndësishme është që edhe trajneri më beson shumë.

Çfarë ju bëri më shumë përshtypje në ndeshjen e sotme?

Stadium i tmerrshëm. Nuk është e lehtë të fitosh në Selanik. Këta janë fanatikë të mëdhenj. Më bëri përshtypje edhe trajneri pas ndeshjes. Më thërriste me të madhe: “Na shpëtove!” U emocionova.

Si ndihet Vila në Janinë?

Në një vend si ky, nuk mund të ndihesh ndryshe veçse si pasha… (qesh)…

Media greke vazhdimisht përmend faktin se keni probleme me rrogat në këtë
skuadër, sa e vërtetë është?

Jo, jo nuk është ashtu si e bëjnë gazetat. Ka pasur ndonjë vonesë, por nuk ka probleme.

Po Lila pse nuk luan prej dy ndeshjesh?

Sepse ka pasur 8 kartonë të verdhë. Po nuk mërzitet se bën tifo për mua kur luaj… Bëj shaka. Lila është pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës.

Shtuar më 02/04/2012, ora 09:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori