Eredivise, Feyenoord e nis me fitore (VIDEO)
Pëlqej
Një gol in-extremis nga Mitchell te Vrede bëri që Feynoordi ta niste me fitore sezonin e ri të Eredivisie. Edhe pse gjatë merkatos së verës përveç trajnerit Ronald Koeman skuadra nga Roterdami, humbi edhe tre nga lojtarët e saj kryesorë siç ishin sulmuesi Graziano Pelle dhe dy qendërmbrojtësit Bruno Martins Indi dhe Stefan De Vrij, Feynoordi i drejtuar nga Fredd Rutten ja doli ta niste me fitore sezonin e ri pasi mposhti në takimin e javës së parë 1-0 në transfertë Ado Den Haag.

Në "Kyocera Stadion", sfida nisi shumë më mirë për miqtë që rrezikuan në disa raste portën e vendasve. Por Den Haag reagoi dhe në minutën e 21-të një predhë nga distanca e Malones la të shtangur portierin e Feynoordit Mulder, megjithatë fati nuk ishte me vendasit pasi topi i goditur nga mbrojtësi i Ados u ndal nga traversa.

Me kalimin e minutave skuadra nga Roterdami e rriti disi nivelin e lojës së saj, gjithsesi ishte vetë ekipi vendas që ia bëri më të lehta gjërat Feynoordit në këtë sfidë pasi në minutën e 40-të Schet mori kartonin e dytë të verdhë duke lënë Den Haagun me 10-të vetë.

Por edhe pse në epërsi numerike Feynoordi e pati shumë të vështirë të gjente golin e avantazhit pasi sulmuesit e tij u treguan disa herë të pasaktë para portës kundërshtare.

Megjithatë atëherë kur pritej që gjithçka të mbyllej me shifrat e bardha 0-0, miqtë ndëshkuan vendasit. Në minutën e 91-të një krosim në zonë nga Vormer u shfrytëzua më së mirë nga te Vrede që me kokë e dërgoi topin pas shpatullave të portierit Hansen. Përfundimisht 0-1 për Feynoordin që siguroi kështu tre pikët e para të sezonit. /albeu.com/
Shtuar më 10/08/2014, ora 16:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori