Fundjavë e sukseshme për shqiptarët (VIDEO)
Një fundjavë e sukseshme ka rezultuar, e shtuna dhe e diela për lojtarët shqiptarë që luajnë jashtë Shqipërisë. Nuhiu, Zeneli, Mehmedi, të cilët luajnë në Europë kanë shënuar me skuadrat që ata luajnë. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Salihi nga Kina e largët. /albeu.com/




Zeneli, dy gola në goleadën e Helsinkit

Erfan Zeneli ka qenë protagonist i Helsinkit, në fitoren bindëse me rezultat 6-1 ndaj Mariehamn, në kampionatin finlandez të futbollit – Veikkausliiga. Mesfushori kosovar ka realizuar dy gola. Të parin e gjeti në minutën e 13-të, kurse të dytin e shënoi nga penalltia në minutën e 31-të. Përpos golave të shënuar, përfaqësuesi finlandez ishte pjesëmarrës edhe tek golat tjerë të vendësve.




Salihi kryen detyrën

Hamdi Salihi e ka kryer detyrën e tij, duke shënuar gol për ekipin Jiangsu Sainty por skuadra e tij humbi në shtëpi me rezultat 2-3 nga ekipi Tianjin Teda.







Mehmedi shënon golin e parë me Freiburgun

Admir Mehmedi realizon golin e parë në Bundesligë. Sulmuesi shqiptar e gjeti golin për ekipin e tij në minutën e 46-të, por kjo ishte e pamjaftueshme, pasi që Augsburgu vendës shënoi fitore me rezultat 2-1 falë golave të Altintop e Werner. Përfaqësuesi zviceran, i cili iu bashkua Freiburgut gjatë kësaj vere nga Dinamo Kievi, e ka rastin që të tregohet në klubin gjerman, për ta marrë një ftesë eventuale tek Zvicra, e cila është pranë kualifikimit në Botërorin 2014.






Hyka realizon në fitoren e Luzernit

Jahmir Hyka i është shtuar listës së futbollistëve shqiptarë që shënuan këtë fundjavë për ekipet përkatëse. Mesfushori ofanziv shqiptar kontribuoi në fitoren 4-1 ndaj ekipit Terre Sainte, në kuadër të Kupës së Zvicrës. Hyka e gjeti golin në minutën e shtatë, ndërsa golat tjerë për mysafirët realizuan Rangelov (2) e Bozanic.




Balaj shënon dy gola në Poloni

Bekim Balaj gjithashtu e pati ditën e tij duke realizuar dy gola në Poloni, në fitoren e thellë që skuadra e tij Jagiellonia e ka fituar në shtëpi kundër Ruch Chrozow me rezultat 6:0. Sulmuesi shqiptar e nisi ndeshjen nga bankina dhe vetëm tre minuta pas inkuadrimit të tij në lojë ai shënon në minutën e 64-të për rezultatin 5:0. Por, nuk u ndal me kaq, pasi në kohën kur ndeshja pritej të përfundonte me këtë rezultat, në minutën e fundit shtesë Bala shënon sërish, duke u shkruar për të dytën herë në listën e realizatorëve.




Sadiku shënon por Luganonuk fiton

Armando Sadiku ka shënuar gol në Kupën e Zvicrës, por fatkeqësisht skuadra e tij Lugano u mposht në shtëpi nga St Galleni me rezultat 1-3. Sulmuesi shqiptar e gjeti golin e në minutën e 83-të, për ta ngushtuar rezultatin, pasi mysafirët kishin realizuar tri herë brenda 25 minutash me anë të Matias Vitkieviez, Goran Karanovic e Roberto Rodriguez.



Abrashi, gol në fitoren e Grassoppersit

Amir Abrashi e ka gjetur golin e parë sezonal. Mesfushori kosovar ia doli të shënojë në fitoren 4-2 të Grasshoppersit ndaj ekipit Stade Nyonnais, në kuadër të Kupës së Zvicrës. Në fakt, loja e rregullt përfundoi baras 2-2 dhe skuadrat shkuan në vazhdime. Në këtë periudhë, klubi nga elita e futbollit zviceran shënoi dy gola dhe njërin prej tyre, në minutën e 120-të e realizoi pikërisht përfaqësuesi i ri shqiptar.

Armando Vajushi

Një gol me peshë për skuadrën e tij, Liteks Loveç ka shënuar dje edhe Armando Vajushi. Sulmuesi shkodran është rikuperuar në momentet e fundit (ishte i dëmtuar pas një problemi në shpinë, i cili e detyroi që të mos udhëtonte edhe me Kombëtaren për dy ndeshjet e këtij muaji ndaj Sllovenisë dhe Islandës), nga trajneri dhe është hedhur dje titullar në përballjen ndaj Slavias së Sofjes. Miqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Galin Ivanov në minutën e 28- të të pjesës së parë, por Vajushi ka kthyer baraspeshën në minutën e 58-të të takimit, shkruan gazeta Express.


Në këtë ndeshje luajti si titullar edhe fantazisti i Kombëtares shqiptare, Jurgen Gjasula. Pas këtij barazimi, Liteksi zbret në vend të dytë me 16 pikë në tetë javë kampionat, një pikë më pas sesa kryesuesit e Botev Plovdiv.

Shtuar më 16/09/2013, ora 10:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori