Kombëtarja, De Biasi: Do ta thërras Avdijajn (VIDEO)
Pëlqej
Nuk kishte sesi të mos nënvizohej një si Dionis Avdijaj edhe në bllokun e Gianni De Biasit. Por, duhet thënë se gjithsesi, dje, gjatë një interviste për "Panorama Sport", trajneri i Kombëtares është treguar i matur, duke i zgjedhur me kujdes fjalët për talentin e Schalke 04.

Sipas tij, Avdijaj mund të jetë një “përjashtim nga rregulli” dhe të grumbullohet në përfaqësuesen shqiptare edhe pse është vetëm 18 vjeç, por më së pari ai duhet që të debutojë me Shalken në Bundesligë.

Italiani thekson se është i gatshëm ta ftojë që në ndeshjen me Portugalinë, duke plotësuar kështu edhe kushtin e vënë nga babai i futbollistit (ka pohuar se Dionisi nuk e refuzon Shqipërinë, por pranon të luajë vetëm për Kombëtaren A).

"Ai ka vendosur si kusht që të luajë vetëm me skuadrën e parë dhe jo me Shpresat. Ndërsa ne kemi gjykuar se do kishte qenë më mirë nëse ai do të provonte të luante pak kohë me ekipin që drejton Gega. Në gjykimin tim nuk ka asgjë të keqe, pasi nuk duhet të harrojmë se djaloshi është ende shumë i ri. Më duket se sapo i ka mbushur 18 vjeç", ka thënë De Biasi.

Në lidhje me shembujt e tjerë botërorë, ku futbollistë të rinj kanë luajtur për kombëtaret e tyre De Biasi u shpreh: "Jo, nuk ka asnjë të keqe dhe këtu jam dakord me ju, por nëse i referoheni për shembull Walcott, Owen, Messi etj., lojtarë që janë grumbulluar nga Kombëtaret fare të rinj, ju bëj me dije se në atë kohë këta lojtarë luanin edhe në kampionat me skuadrat e tyre. Ndërkohë, unë di që Avdijaj nuk ka luajtur ende asnjë sekondë me Schalken. Gjithsesi, e kam pasur dhe e kam shumë në konsideratë dhe sinqerisht uroj që ai të jetë një talent i tillë edhe pas tre-katër vitesh. Pak rëndësi ka nëse do luajë me ne apo jo, paçka se unë, ju dhe gjithë shqiptarët besoj se do ta donim ta kishim në skuadër". /albeu.com/




Shtuar më 08/08/2014, ora 11:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori