Ndeshja e fundit e javës së 26-të të Serie A mes
Lazios dhe Pescaras nuk dhuroi surpriza.
Skuadra e
Petkovic rigjen buzëqeshjen pas 5 ndeshjeve duke fituar pa derdhur shumë djersë me rezultatin 2-0. Ndeshja e "Olimpicos" pati vetëm një fytyrë sepse kryeqytetasit që rikthehen në vendin e tretë me 47 pikë, e nisën takimin me presion të vazhdueshëm në zonën kundërshtare.
Pas disa rasteve të pakonkretizuara, mendoi rumuni Radu të vendoste paqen në stadium me një të majtë spektakolare duke tundur rrjetën e Pelizzolit. 6 minuta më vonë, boshnjaku Lulic preferoi këmbën tjetër, atë të djathtën për të dyfishuar me një
goditje potente nga jashtë zonës. Ndeshja e
Lazios përfundoi këtu sepse
skuadra e Petkoviç nuk pranoi të vraponte gjatë 45 minutave të dyta për të kursyer energjitë e nevojshme për sfidën e ardhshme të "San Siros" kundër Milanit.
Kapiteni i kombëtares shqiptare, Lorik Cana e nisi ndeshjen titullar në qëndër të mbrojtjes duke treguar një formë të mirë fizike. /albeu.com/
Shtuar më 26/02/2013,
ora 08:24