Mertens dhe Reina mundin Romën, i dhurojnë titullin Juves (VIDEO)
Napoli ringjallet dhe për më tepër në sfidën më delikate të kampionatit. Pas tri humbjeve radhazi në Champions, kampionat dhe Kupë, skuadra e Sarrit ka marrë një fitore të madhe në "Olimpiko" 2-1 falë një super Mertens dhe Reinën që bëri fenomenin në portë.

Sulmuesi belg ka bërë që të harrohet emri i Milik, i cili megjithëse është rikuperuar nuk mund të ketë vend në formacion.

Mertens zhbllokoi rezultatin në minutën e 26-të pas një pasimi fantastik të Hamsik. Roma nuk ka shumë fuqi reagimi, teksa në të 50-të sulmuesi i Napolit shënon sërish, por këtë herë me një asist nga Insigne, raporton Albeu.

Rastet për të shënuar një tjetër gol nga Napoli ishin të shumta, ndërkohë që Roma do të shënonte me Strootman golin e shpresës për disa minuta. Në minutat shtesë verdhekuqtë rrezikuan që të barazonin rezultatin pasi kishin shumë mundësi shënimi, por Reina bën disa pritje spektakolare.

Napoli tashmë afrohet me dy pikë distancë nga Roma, ndërkohë që Juventus me një fitore nesër ndaj Udineses thuajse hipotekon titullin kampion pasi shkon në +10 nga Roma./albeu.com/



Shtuar më 04/03/2017, ora 16:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori