Nadal mposht Djokoviç në penallti (VIDEO)
Rafael Nadal vërtet humbi në fillim të muajit ndaj Novak Djokoviç finalen e tetë më të mirëve të vitit në Londër por sidoqoftë numri 1 i botës e gjeti shpejt mënyrën për të marrë hak ndaj tenistit serb. 27-vjeçari nga Mallorca i kërkoi revansh kolegut të tij në një mënyrë tepër origjinale duke e sfiduar Nole-n në ekzekutimin e 11-metrëshave. Arena këtë radhë ishte shumë e vecantë dhe gjithcka ndodhi përpara syve të tifozëve të një prej skuadrave më të lavdishme në planet.

Në "Bombonera" si Rafa ashtu edhe Nole zbritën në fushë të zbukuruar me fanelat e "Los Xeneizes" nën entuziazmin e jashtëzakonshëm të fansave të zjarrtë të këtij ekipi. Në fakt të dy bëjnë tifo për skuadra krejtësisht të ndryshme, Nadal është përkrahës i flaktë i Real Madrid, ndërsa Djokoviç është tifoz i Milanit, gjithsesi pavarësisht barazisë që ekziston mes tyre në tenis te penalltitë nuk pati aspak histori dhe ndeshja ishte e pabarabartë. Arsyeja kuptohet qartë, nëse je nipi i një prej shtyllave të përfaqësueses iberike, Miguel Angel Nadal nuk mund të ndodhë dot ndryshe.

47-vjeçari ka zhvilluar plot 62 ndeshje me përfaqësuesen dhe ka luajtur për tetë sezone në radhët e Barcelona-s, e ka qenë pjesë e dream team-it katalanas përkrah emrave të tillë si Romario, Stoichkov, Ronald Koeman, e Guardiola.

Rafa në fund fitoi pa shumë probleme 3-1 duke i shkaktuar humbjen e dytë në vetëm pak kohë numrit 2 të botës, Djokoviç, të cilin e mposhti gjithashtu në një ndeshje ekzibicioni po në Buenos Aires, me rezultatin 6-4, 7-5 përmes entuziazmit të zakonshëm të të pranishmëve ku nuk mungonte as aktori i famshëm i Hollywood-it Will Smith.

Këtë vit këta dy tenistë janë ndeshur 6 herë dhe bilanci ndërmjet tyre është krejtësisht i barabartë 3-3, sidoqoftë Djokovic ka fituar dy përballjet e fundit midis tyre duke e ngushtuar bilancin e përgjithshëm në 22-17. /albeu.com/
Shtuar më 26/11/2013, ora 18:02
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori