Napoli nuk di të ndalet, shënon Dzemaili (VIDEO)
Fitorja e Kupës shoqërohet me një tjetër sukses në kampionat për Napolin, që feston me tre pikë trofeun e parë të Benitezit në stol. Në një “San Paolo” të mbushur si në rastet e sfidave të mëdha, skuadra jugore triumfoi 3-0 me Cagliarin duke marrë tre pikë që më shumë argëtojnë publikun, pasi objektivat për jugorët në këtë kampionat tashmë janë mbyllur.

Skuadra para fillimit të ndeshjes prezantoi dhe trofeun përpara publikut të saj për të vazhduar më pas me spektaklin e fushës, ku pasi shpërdoroi disa mundësi të mira për shënim, zhbllokoi rezultatin në të 33-tën me një 11-metërsh të Mertens.

Para pushimit Goran Pandev realizoi dhe golin e dytë për të tijët ndërsa në pjesën e dytë ekipi Benitezit ishte sërish dominues në fushë duke asfiksuar në gjysmëfushën e tij Cagliarin që me realizimin e objektivave duket se e ka marrë pa shumë impenjim këtë fundkampionati.

Në të 56-tën, Hamsik kishte mundësinë për realizuar nga pika e bardhë, por traversa e ndali. Ndërkohë që një minutë më pas realizoi dhe Dzemaili duke çuar rezultatin në 3-0. Në minutat e mbetura, Napoli u përpoq të kapte dhe pokerin e golave por pa rezultat me jugorët që morën një fitore të thjeshtë. /albeu.com/
Shtuar më 07/05/2014, ora 09:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori