Nga Shqipëria te Napoli, Reja nderon ish-kapitenin gjatë Champions (VIDEO)
Pasi ka mbyllur diskutimet me FSHF dhe firmosur kontratën për rinovimin në pankinën kuqezi, Edi Reja është kthyer sot në Itali, ku ishte i ftuar nderi i Napolit në ndeshjen ndaj Genk në Ligën e Kampioneve.

Për trajnerin e përfaqësueses shqiptare ishte një mundësi për të parë nga tribuna ish-ekipin e tij të kualifikohej, por edhe për të qenë pjesë e një ceremonie të veçantë.

Në pushimin e ndeshjes, Reja i ka dorëzuar Marek Hamshik, ish-kapitenit të Napolit, një fanellë përkujtimore. Reja ishte trajneri i parë i Hamshik në radhët e Naoplit e kësisoj klubi vendosi që ai të ishte personi që të bënte këtë nderim për mesfushorin i cili nuk i kishte thënë kurrë lamtumirë tifozëve ashtu siç duhej para se të udhëtonte drejt Kinës.

Një moment i veçantë, ku Hamshik nuk ka mbajtur dot emocionet, pasi është përlotur duke parë në ekran disa nga momentet kryesore të karrierës së tij në këtë klub. Një moment emocionues edhe për Rejan, i cili u përshëndet ngrohtësisht nga tifozët në momentin kur zbriti në fushë për t’i dorëzuar fanellën simbolike
Shtuar më 10/12/2019, ora 22:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori