Nuk ndalet Berisha, gol dhe asist në Australi (VIDEO)
Melbourne Victory fluturon me Besart Berishën. Sulmuesi shqiptar realizoi një gol dhe asistoi në shënimin e një tjetri duke udhëhequr skuadrën e tij drejt një fitoreje shumë të rëndësishme me rezultatin 3-1 përballë Central Coast Mariners, sukses ky që i mundësoi Melbourn-it ta përfundonte sezonin e rregullt të kampionatit australian në vendin e parë, pozicion që i jep të drejtën formacionit që drejtohet nga trajneri Kevin Muscat, kualifikimin automatik në gjysëmfinalet e fazës play-off ku do të përcaktohet edhe fituesi i titullit kampion.

Berisha edhe pse ka vetëm pak kohë që është bërë pjesë e Melbourne Victory menjëherë ka fituar zemrat e tifozëve duke u shndërruar në idhullin e ri të qytetit madje posterat me fotografinë e tij kanë pushtuar rrugët kryesore të Melbournit.

Ishte minuta e 32-të e sfidës së zhvilluar në AAMI Park kur Besart Berisha me një veprim shumë të bukur u lirua nga një mbrojtës kundërshtar duke i dhënë mundësinë maqedonasit Georgievski të kalonte Melbourne Victory në avantazh.

Central Coast Mariners e kishte të pamundur të përballonte supermacinë e skuadrës vendase dhe 2 minuta më pas Thompson realizoi edhe golin e avantazhit të dyfishtë.

Pak përpara pushimit miqtë ngushtuan distancën me golin e Bosnar por kur kishin kaluar vetëm pak sekonda nga fillimi i pjesës së dytë në skenë u shfaq Berisha që i asistuar nga Gullierme realizoi golin që vulosi fitoren e Melbourne Victory dhe fiksoi shifrat përfundimtare të këtij takimi në 3-1.

Ky është goli i 13-të për 29-vjeçarin e lindur në Prishtinë në këtë sezon të A League. /albeu.com/
Shtuar më 26/04/2015, ora 13:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori