Penalltia e Ronaldos i jep fitoren Juvetusit përballë Veronas (VIDEO)


Goli i shënuar nga pika e penalltisë nga Cristiano Ronaldo i dha fitoren Juventusit pas dy barazimeve. Bardhezinjtë arritën ta mposhtin Hellas Veronën , ku luan Amir Rrahmani, me rezultat 2:1, në kuadër të xhiros së katërt të sezonit të ri të Serisë A.

Pas barazimit 0:0 kundër Fiorentinës në Serie A dhe barazimit 2:2 kundër Atletico Madridit, Juventusi siguroi një fitore të rëndësishme në Serie A, duke e marrë kreun e tabelës ta paktën deri sa të përfundojë sonte derbi mes Interit dhe Milanit.

Hellas Verona e nisi më mirë këtë ndeshje në stadiumin “Allianz”. Mysafirët e patën mundësinë e artë për të kaluar në epërsi në minutën e 20-të, përmes penalltisë së Samuel Di Carmine, mirëpo ai e goditi shtyllën.

Vetëm disa sekonda më vonë, hutinë e krijuar në fushë pas asaj penalltie të humbur e shfrytëzoi lojtari tjetër i Veronës, Miguel Veloso, i cili shënoi një supergol nga largësia.

Tre minuta pasi Amir Rrahmani u ndëshkua me karton të verdhë, Aaron Ramsey e barazoi rezultatin me golin e asistuar nga Cristiano Ronaldo. Goditja e Ramseyt, nga largësia, u devijua nga shqiptari Marash Kumbulla, i cili në minutën e 90+4 u ndeshua me të kuq.

Ronaldo u tregua vendimtar në këtë ndeshje edhe 18 minuta më vonë, në minutën e 49-të të ndeshjes, kur u tregua i saktë nga pika e penalltisë, për t’ia siguruar skuadrës së Maurizio Sarrit tre pikët e radhës në Serie A.

Tani, Juventusi është në pozitën e parë në tabelën e Serisë A, me dhjetë pikë të fituara nga katër ndeshjet e para. Bardhezinjtë do të luten që derbin mes Milanit dhe Interit ta fitojnë kuqezinjtë, në mënyrë që ata ta mbajnë edhe më tutje kreun e ligës.
Shtuar më 21/09/2019, ora 20:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori