Për herë të parë shënojnë MSG, Barcelona triumfon bindshëm dhe merr kreun (VIDEO)
Barcelona ka kthyer gjithçka në "show" në fitoren 0-3 ndaj Eibarit. Ekipi katalanas u argëtua në transfertën e kësaj jave, madje duket se Messi-Suarez-Griezmann kanë gjetur kiminë mes tyre, pasi të 3 golat u shënuan nga këmbët e këtij sulmi të frikshëm.

Griezmann hapi takimin në minutën e 14'. Një asist fenomenal nga Linglet bëri që sulmuesi të dilte i vetëm me portierin kundërshtar. Blerja e bujshme e verës nuk gaboi për 0-1.

Radha për të shënuar ishte e Messit. Argjentinasi shfrytëzoi një pasim mjaft të bukur të Griezmann brenda zonës dhe nuk gaboi. Barcelona dyfishoi me tika-taka, pasi për të mbërritur deri te goli i "Pleshtit", sfera kaloi me stacione pothuajse në të gjithë lojtarët. Katalanasit kujtojnë kohën e artë të "Tiki-takës".

Suarez i vuri vulën ndeshjes, pasi shënoi golin e tretë në minutën e 66'. Griezmann dha një top fantastik për Messin. Argjentinasi i vetëm me portierin u tregua altruist duke pasuar te Suarez që nuk gaboi me portën e boshatisur. Barcelona merr kryesimin e kampionatit duke kaluar me një pikë Real Madridin, por me një ndeshje më shumë.
Shtuar më 19/10/2019, ora 14:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori