Përdhosën figurën e Mujo Ulqinakut, AMA i tërheq "veshin" Bes Kallakut dhe Erion Isait (VIDEO)
Duke menduar se mund të tallen me çdokënd, Bes Kallaku dhe Erion Isai janë fokusuar tek Mujo Ulqinaku në emisionin e datës 3 shkurt duke ironizuar përpjekjet e tij për t'i rezistuar pushtimit fashit në 7 prill 1939.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe AMA, të cilët i kanë tërhequr vëmendjen emisionit "E Diela Shqiptare" duke theksuar se autorët e programit duhet t'i përmbahen normave etike.

"Akti i rezistencës dhe kontributi me sakrificën më sublime nga dëshmori Mujo Ulqinaku në momente tragjike për vendin, dukshëm ka marrë vlerësime të papërshtatshme dhe joetike nga autorët dhe aktorët e materialit humoristik. Përmendja me emër dhe mbiemër e tij në një krijim artistik dhe karakterizimi me nota qesharake e cinike shkojnë në favor të denigrimit për ata që konkretisht kontribuuan në mbrojtje të atdheut.

Ne vlerësojmë përfshirjen e përmbajtjeve humoristike dhe satirike në dobi të argëtimit dhe zbavitjes së ndjekësve të transmetimeve audiovizive, por kërkojmë dhe mirëkuptimin e krijuesve dhe aktorëve, për të mos tejkaluar normat etike, që shkaktojnë reagime negative në publik, sidomos në rastet e figurave historike dhe kombëtare.

Ndaj, AMA tërheq vëmendjen ndaj televizionit “Klan”, si dhe OSHMA-ve të tjera, për të pasur në konsideratë shmangien e krijimit të situatave të papërshtatshme që zbehin dhe nënvlerësojnë rolin, kontributin dhe nderimin e figurave historike të kombit", reagon AMA.
Shtuar më 18/05/2019, ora 12:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori