"Rilind" Agon Mehmeti, dopietë me Malmon (VIDEO)
Pëlqej
Agon Mehmeti ka rilindur te skuadra e Malmos. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi një dygolsh dje, duke ndihmuar ekipin suedez të fitonte në kampionat 5-2 kundër Flakenbergs. Mehmeti nuk shënonte prej 7 muajsh, pasi për herë të fundit kishte shënuar në 12 janar me Olahensen në Portugali.

Mehmeti u rikthye këtë verë te skuadra e Malmos, aty ku edhe është formuar si futbollist. Ai është në pronësi të klubit të Palermos dhe është i huazuar te skuadra suedeze. Malmo ishte duke humbur deri në minutën e 24-t, pasi kishte pësuar gol në minutën e 13-të, por sulmuesi shqiptar realizoi dy gola (24′ 38′) duke i hapur udhën suksesit të skuadrës së tij që shënoi më pas edhe tri herë të tjera.

Mehmeti ka luajtur 3 ndeshje me përfaqësuesen kuqezi, por në total ka qenë vetëm 42 minuta në fushën e lojës, pa mundur që të lërë gjurmë. Gjithsesi, ai nuk ishte në formën e tij më të mirë gjatë periudhës që De Biasi i dha shansin.

Megjithatë, Mehmeti mbetet një alternativë për sulmin në të ardhmen, sepse është vetëm 24 vjeç dhe mund të përmirësohet shumë me kalimin e kohës.



Shtuar më 03/08/2014, ora 12:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori