Romela Begaj, kampionia e Botës pa shtëpi (VIDEO)
Titullin kampione e botës në peshëngritje, Romela Begaj e fitoi pas një periudhe shumë të vështirë. Pa një shtëpi, pa të ardhura që të sigurojë stërvitjen e ushqimin dhe me kushte minimale, 28-vjeçarja i solli Shqipërisë një nga dy trofetë më të rëndësishëm të sportit.

Gëzimi i fitores nuk ka fashitur aspak problemet, me të cilat rekordmenja duhet të përballet për të jetuar dhe për t’u stërvitur.

"Në fakt, edhe kjo shtëpi ku unë jetoj tani për tani nuk është e imja, pasi jam me qira. Nuk kërkoj ndonjë shtëpi luksi, por e mira është që, jo vetëm unë por edhe Danieli (Godelli), që jemi të vetmit kampionë bote sot për sot në Shqipëri, do të ishte mirë për ne që të kishim një strehë, pasi edhe ne do të krijojmë familjet tona. Në fund të fundit kam dhënë për shtetin dhe për flamurin shqiptar. Është e vërtetë që nuk kemi një mjek, çfarëdo që të ndodhë unë duhet të shkoj në spital si gjithë të tjerët, ndërkohë që duhet të ketë një mjek personal për një sportist, që i di të gjitha gjërat mbi këtë sport", shprehet Romela Begaj, citon TCH.

Jeta e saj ndryshon fare pak nga ajo e femrave të tjera, në një prej lagjeve të Tiranës, pasi asaj i duhet ta bëjë vetë pazarin në marketin pranë shtëpisë, të gatuajë vetë e të kujdeset për shumë detaje të tjera, që shpesh ia heqin përqëndrimin nga sporti dhe karriera.

"Kam shumë vështirësi, pasi unë bëj jetë normale si të gjithë femrat e tjera. Bëj pazarin dhe gatuaj ndonjëherë, ndërkohë që nuk kam përkushtimin nga dikush tjetër që të më rrijë pranë. Sigurisht kam edhe familjen, por duhen ndryshuar shumë gjëra, ashtu siç nuk i kam ende", vijon kampionia e Botës


"I bëj thirrje kryeministrit Edi Rama, gjithashtu edhe kreut të Kuvendit Ilir Meta, që kanë qenë edhe vet pjesë e sportit, ministres gjithashtu siç na ka premtuar, që të bëjnë diçka. Të vlerësojnë medaljet dhe arritjet tona dhe të kthejnë kokën nga sporti, pasi nëse ata japin një kontribut më të madh, edhe medaljet tona do të jenë më të shumta për Shqipërinë", apelon Romela Begaj. /albeu.com/

Shtuar më 16/11/2014, ora 11:16
Alfi Mustafa
e Hënë 17 Nëntor 2014, Ora 16:01
Sa keq per ju kamione bote dhe sa turp per Shqiperine. Ju meritoni jo shtepi, qe koleget tuaj neper bote do te qeshnin me kete kerkese kaq minimale jetese, por secili nga 500 mije Euro. Sikur te gjithe shqiptaret, kudo ku ndodhen, t'ju japin juve te pakten nga 1 euro ju do te keni secili nga 2 miljon euro. Ku jane biznesmenet shqiptare, te cilet vetem me celulare kush e di se sa qindra euro harxhojne ne muaj. E kuptoni se sa mire kane bere per jeten e tyre ish kampionet e botes dhe evropes me orgjine shqiptare qe e kane "tradhetuar" Shqiperine? Ndersa juve paturpesisht llogarisni buken e gojes. Por ne jemi nga ai lloj populli qe asnjehere pesimi nuk na behet mesim. Ne vazhdojme ta pesojme nga atdhetarizmi apo patriotizmi yne mjeran.
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori