Ronaldo 55 "hat tricks" në karrierë, synon "një shekull" me Portugalinë (VIDEO)


Ronaldo shënjestron shifrën 100 me kombëtaren e tij. Nuk e kemi fjalën për numrin e ndeshjeve, sepse kjo është tejkaluar, por atë të golave me luzitanët, para se të “dalë në pension”. Pavarësisht se është 34 vjeç, asi portugez dëshiron ende rekorde dhe fitore. “Tripleta” ndaj Lituanisë e ngjiti atë në kuotën e 98 golave me Portugalinë. Pra, pesë herë fituesi i “Topit të Artë” i ka të gjitha mundësitë për t’u bërë “një shekull” (100 gola) kundër Luksemburgut. Por, ka edhe më shumë “stacione”, që ylli i Juventusit mund t’i arrijë. CR7 është -11 gola nga Ali Daei, sulmuesi më “pjellor” ndonjëherë me ekipet kombëtare.

Sulmuesi në fjalë, i dalë “në pension” në vitin 2007, shënoi 109 gola në 149 ndeshje me Iranin. Ronaldo është në kuotën e 98 golave me kampionët e Europës në fuqi dhe është i destinuar ta tejkalojë atë brenda disa muajsh. Tani është fokusuar te ndeshja me Luksemburgun, e fundit e raundit kualifikues, për të siguruar kualifikimin në “Euro 2020” dhe kapur shifrën 100 gola. Këtij kundërshtari modest, ylli portugez ka shënuar tashmë 4 gola në karrierën e tij.

Ah, edhe një tripletë tjetër golash prej tij, e 55-ta në karrierë! Sepse 3 është numri i përsosur për një futbollist të përsosur si ai: "E pëlqej këtë ndjenjë", - ka shkruar Ronaldo në Instagram. Për më tepër, në vitin 2019 ai hyri 32 herë në “kartolinën” e rezultateve. Ky është viti i 13-të kalendarik radhazi, në të cilin shënon 30 e më shumë gola. Askush si ai. Një sinjal i qartë edhe për Sarrin…
Shtuar më 16/11/2019, ora 13:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori