Si hidhen gurë në fushë? Kalo një herë në Ballsh (VIDEO)
Bylisi-Laçi u kthye në një kaos të vërtetë të shtunën e kaluar, edhe pse u luajt pa praninë e spektatorëve për shkak të dënimit të fushës së klubit ballshiot. Si para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes, krahas tensionit, nuk munguan sendet e forta të hedhura nga tifozët që qëndronin jashtë stadiumit "Adush Muça".

Ndeshja nisi me vonesë, pasi delegati Besnik Çela kërkoi që të largoheshit tifozët nga pjesa e jashtme e murit rrethues, ndërsa kulmi i tensionit arriti në minutën e 89-të, kur gjyqtari Olsi Sokoli akordoi një penallti në favor të Laçit. Në këtë moment takimi u ndërpre 7 minuta.

Lojtarët e Bylisit, stafi teknik dhe tifozët që qëndronin jashtë stadiumit, u irrituan pa masë me këtë vendim të arbitrit. Gjatë kësaj ndërprerjeje, tifozët në shenjë proteste dhe inati kanë hedhur në fushë gurë, banane, vezë dhe çakmakë. Zona në portën e mbrojtur nga Frashëri, ku dhe do të goditej 11-metërshi, ishte e mbuluar nga sende të ndryshme.

Më pas, në tunelin e dhomave të zhveshjes, presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, goditi me një send të fortë Çelën. /albeu.com/

Shtuar më 19/03/2014, ora 11:37
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori