Skënderbeu pa frena, Partizani "korr" suksesin e parë nën drejtimin e Lerda (VIDEO)
U nevojiten 180 minuta që Partizani i Franco Lerdës ta marrë fitoren e parë në kampionat.

"Demat e kuq" janë kthyer në formën optimale, teksa pas humbjes me Kukësit janë "shkundur", duke mos falur në javën e dytë. Transferta e Gjirokastrës ka rezultuar e suksesshme për kampionët në fuqi, të cilët mposhtën minimalisht 1-0 Luftëtarin e 1001 problemeve.

Goli që mban edhe vlerën e 3 pikëve erdhi nga koka e ushtarit, Bruno Telushi. Vlonjati ekzekutoi bukur me kokë një krosim nga këndi të Trashit, çka mjaftoi për të vulosur rezultatin final të takimit. Pavarësisht problemeve në letër, Skënderbeu i Ilir Dajës është kthyer si ai i dikurshmi.

Korçarët kanë koleksionuar fitoren e dytë në po kaq javë, duke krijuar idenë se titulli është objektivi primar për ta në këtë sezon. Edhe pse u gjend në disavantazh ndaj Laçit, bardhekuqtë e gjetën forcën për të reaguar dhe për të përmbysur gjithçka. Golat e Bregut dhe Oto John "zhvlerësuan" rrjetën e Nwabueze. Pas kësaj fitoreje, Skënderbeu merr kreun në kuotën e 6 pikëve.

Ndërkohë, takimi i zhvilluar në Ballsh, mes Bylisit dhe Vllaznisë nuk prodhoi asnjë gol, me dy ish-skuadrat e Kategorisë së Parë që e mbyllën në barazim 0-0.
Shtuar më 28/08/2019, ora 18:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori