"U mundua ta mbante në Madrid", përplasja mes Zidane dhe Mbappe bëhet virale (VIDEO)


Lufta për top mes Zinedine Zidane dhe Kylian Mbappes gjatë ndeshjes të së martës në Santiago Bernabeu është bërë virale nëpër rrjete sociale, veçanërisht shkaku i deklaratave të fundit të trajnerit francez.

Gjatë përballjes mes Real Madridit dhe PSG-së në kuadër të Ligës së Kampionëve, Kylian Mbappe u përplas me trajnerin Zinedine Zidane, në tentim për ta kthyer në lojë sa më shpejt topin.

Kjo video u bë virale nëpër rrjete sociale, pasi që tifozët talleshin se Zidane e kapi yllin e ri francez në tentim për ta rrëmbyer atë nga PSG-ja.

Trajneri i Real Madridit, Zidane, ka qenë në qendër të vëmendjes gjatë kohës së fundit pasi që publikisht e ka lavdëruar Kylian Mbappen, për të cilin klubi i tij është i interesuar ta transferojë.

Zidane e kishte deklaruar dashurinë e tij për yllin e ri, fjalë këto që janë marrë me humor të mirë nga shumica e drejtuesve në Paris Saint-Germain.

Të martën, Mbappe e dëshmoi edhe një herë pse e ka fituar zemrën e Zidanit, duke shënuar gol për PSG-në në minutën e 81-të, duke ia garantuar francezëve pozitën e parë në grup, me një ndeshje të mbetur deri në fund të fazës së grupeve.

Megjithatë, drejtori sportiv i PSG-së Leonardo e kishte parë anën qesharake të deklaratave të fundit të trajnerit të Real Madridit pas ndeshjes, mirëpo ai e theksoi se dashuria e Zidanit për Mbappen nuk do të ketë rezultat pozitiv.

"A e ka thënë ai këtë? Unë s’kam parë asgjë", tha Leonardo duke qeshur, përderisa pyetej për atë deklaratë të trajnerit francez.

"E vetmja gjë që unë e di është se Mbappe është duke qëndruar këtu 100 për qind. Të tjerat shkojnë e vijnë. Ne po ecim ngadalë në bisedimet për një kontratë të re, por do të shkojmë përpara".
Shtuar më 27/11/2019, ora 10:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori