Udinese i jep "leksion" Lazios, shënon tre herë në portën e Strakoshës (VIDEO)
Udinese befason Lazion në “Olimpico”, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 1-3 dhe të marrë një 3-pikësh mjaft të rëndësishëm, që e largon ndjeshëm nga zona e ftohtë e renditjes në kampionatin italian.

Në sfidën e parë të ditës së diel, bardhekaltrit e Simone Inzaghit ishin favoritë për të marrë tre pikët, por në fushë gjërat nuk shkuan aspak mirë për kryeqytetasit, që pësuan humbjen e tretë sezonale dhe mbetën në kuotën e 14 pikëve.

Mesfushori Arslan zhbllokoi sfidën në minutën e 18-të me një gjuajtje të fortë nga jashtë zonës, që gjeti edhe devijimin e mbrojtësve të Lazios dhe u bë e paarritshme nga ana e portierit Thomas Strakosha, i cili u rikthye titullar sot për kryeqytetasit.

Reagimi i Lazios ishte i dobët dhe gjatë pjesës së parë Immobile me shokë nuk shkuan asnjëherë rrezikshëm në zonën e Udineses, që në shtesë gjeti edhe golin e dytë me anë të Pussettos, i cili lëvizi bukur në zonë pas një pasimi të marrë nga De Paul.

Inzaghi freskoi skuadrën në fillim të pjesës së dytë, por protagoniste ishte sërish Udinesegjeti edhe golin e tretë, këtë herë me sulmuesin Forestieri, i cili vulosi suksesin e friulianëve në transfertën kryeqytetase.

Immobile provoi të rihapë takimin në minutën e 74-t, me një penallti të fituar dhe ekzekutuar saktë po vetë, por goli vlejti vetëm për statistika personale për sulmuesin italian, pasi Lazio nuk arriti të shmangë humbjen.
Shtuar më 29/11/2020, ora 15:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori