Verona i merr hakun e Kupës Milanit, e mposht 3-0 (VIDEO)
Humbje e rëndë për Milanin e Gattusos në transfertë ndaj Veronas. Kuqezinjtë u mposhtën pastër 3-0 në “Bentegodi”, duke e vënë në një pozicion shumë të vështirë “Ringhion”, i cili e mori drejtimin e “Djallit” me shpresën që do të ndryshonte diçka sa u përket rezultateve që ekipi kishte marrë me Montellan. Por ajo që po ndodh në kampin kuqezi është për të ardhur keq. Pas barazimit të turpshëm 2-2 me Benventon dhe fitores së vështirë 2-1 në “San Siro” me Bolognan, vjen dhe disfata e parë në kampionat për Gattuson, që praktikisht i nxjerr nga gara për Championsin kuqezinjtë.

Caracciolo i dha shuplakën e parë Milanit pas një goditjeje këndi në minutën e 24-t, ndërsa në fraksionin e dytë, pikërisht në të 55-ën, Kean realizoi të dytin, me mbrojtjen kuqezi që la shumë për të dëshiruar. Atëherë kur pritej reagimi i Milanit, veronezët realizuan të tretin me Bessan, për ta vrarë përfundimisht ndeshjen. Asgjë s’mund të bënte formacioni i Gattusos në minutat e mbetura, madje në kohën shtesë Suso u ndëshkua me karton të kuq, duke marrë një humbje turpëruese, që kërkon një analizë të thellë. /albeu.com/
Shtuar më 17/12/2017, ora 14:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori