Zaev: Nuk merret shtetësia me 3 dëshmitarë! Ahmeti: S'ka më shumë se 3.500 raste pa shtetësi (VIDEO)
Ligji për shtetësi i propozuar nga koalicioni ASH-AAA vështirë se do të kalojë në Kuvend. Kryeministri Zoran Zaev deklaroi se përkrah procedurë të përshpejtuar për marrje të shtetësisë, por jo edhe propozimin me tre dëshmitarë, ashtu siç e ka paraqitur opozita shqiptare, pasi mendon se nuk është i konceptuar mirë.

Shton se është e saktë se ka qytetarë që nuk kanë shtetësi, por siç tha, kjo do të zgjidhet me ndonjë metodë e mbështetur me standarde evropiane.

“Dëshmitarët nuk e zgjidhin këtë çështje. Dëshmia është subjektive. Çdokush mund të sjellë tre anëtarë të familjes së tyre të gjerë për ta thënë atë se ka qenë qytetar i vendit. Në fund ajo mund të ankimohet dhe të bie në gjykatë. Pra, kjo nuk është zgjidhja e problemit”, tha Zoran Zaev – kryeministër i Maqedonisë së Veriut.

Nga ana tjetër kreu i BDI-së Ali Ahmeti në një interviste për TV Globi deklaroi se nuk ka më shumë se 3 mijë e 500 persona pa shtetësi. Sipas tij shumica e tyre që s’kanë shtetësi janë romë.

Përsëri ka manipulime, nuk janë shqiptarët? Po kush është atëherë më shumë që s’kanë nënshtetësi?


Janë komuniteti romë.


“Është manipuluar me nënshtetësitë, jo qenkan 100 mijë, jo 50 mijë. Deri më tani brenda kësaj periudhe 12 vjeçare janë bërë diku 15 mijë nënshtetësi. Në tërësi sipas të dhënave dhe njoftimet që më kanë bërë autoritetet që merren me këto, kanë mbetur pa zgjidhje përfundimtare diku 3 mijë e 500 njerëz që kanë kërkuar nënshtetësi dhe nuk kanë përgjigje”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Këtë deklaratë të Ahmetit, deputeti i ASH-së Halil Snopçe e quajti joserioze.


“Unë mendoj se është një deklaratë joserioze e Ahmetit. Si i bie kjo ne nuk e kontestojmë se ka shumë rom që s’kanë shtetësi, numri i tyre mund të jetë shumë i madh. Kjo është çështje tjetër. Mos t’i përziejmë këto dy çështje. Por nëse shkojmë me këtë logjikë nëse z.Ahmeti paska ditur atëherë pse i keqtrajton shqiptarët me vite me radhë dhe nuk del me këto informata”, theksoi Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët.

Ndryshe në platformën shtetësia.mk të krijuar nga koalicioni ASH-AAA, deri tani, sipas Snopçes, mbi 300 qytetarë janë paraqitur për të treguar problemet e tyre për marrjen e shtetësisë. Ai tha se në disa raste një person ka paraqitur 4-5 raste dhe sa se numri i paraqitjeve vazhdimisht po rritet.
Shtuar më 24/01/2021, ora 22:51
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori