Zvicër, dopieta e Albert Bunjakut fundos Baselin (VIDEO)
Pëlqej
Albert Bunjaku fundos Baselin. Pas 4 fitoreve radhazi në sezonin e ri, Kampionët e Zvicrës pësuan një disfatë të rëndë brenda “St Jakob Park” dhe për këtë një meritë të padiskutueshme e ka sulmuesi kosovar Albert Bunjaku, i cili shënoi një dygolësh duke i dhënë fitoren 2-0 skuadrës së tij St. Gallen. Me Shkëlzen Gashin që në 4 ndeshjet e para të sezonit kishte shënuar 3 gola të ulur në stol, Baseli e kishte shumë të vështirë për të thyer St. Gallenin.

Por nëse një Kosovar mungonte në fushë ishte një tjetër për të vënë diktatin e tij. 40 minuta i mjaftuan Albert Bunjakut për t’u ngritur në piedestal e për ta bërë të heshte tifozerinë vendasve. Një top i mbetur në zonë u shfrytëzua më së miri nga ish- sulmuesi i Kaiserslauternit dhe Nurenbergut, me 30-vjeçarin që me një goditje të saktë nga një distancë e shkurtër mposhti portierin e Baselit, Vaclik. Por sulmuesi i përfaqësueses më të re të Europës nuk u ndal me kaq teksa në minutën e 44-t shënoi edhe golin e dytë për miqtë.

Një finalizim perfekt nga ana e Bunjakut që me një gjuajtje potente nga limitet e zonës, e dërgoi topin për herë të dytë në portën e Baselit. Ky ishte goli i tretë për Albert Bunjakun me fanellën e St. Gallen në këtë sezon. Edhe pse me startin e pjesës së dytë trajneri i vendasve Paulo Sousa hodhi në fushë, Shkëlzen Gashin, sulmuesi i Kombëtares Shqiptare nuk arriti të bënte asgjë për të ndihmuar skuadrën e tij me sfidën që u mbyll me shifrat 2-0 në favor të St. Gallen. /albeu.com/
Shtuar më 15/08/2014, ora 10:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori